REPUBLIKA E KOSOVËS – REPUBLIKA KOSOVO – REPUBLIC OF KOSOVO QEVERIA – VLADA – GOVERNMENT

MINISTRIA E ARSIMIT, SHKENCËS, TEKNOLOGJISË DHE INOVACIONIT
MINISTARSTVO OBRAZOVANJA, NAUKE, TEHNOLOGIJE I INOVACIJE
MINISTRY OF EDUCATION, SCIENCE, TECHNOLOGY AND INNOVATION

MASHTI

Të dashur nxënës, prindër dhe mësimdhënës,

Ky është kanali zyrtar i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), në të cilin ofrohen materiale mësimore për mësim në distancë për nxënësit e klasave 1-9 të sistemit arsimor të Republikës së Kosovës.


Materialet mësimore të publikuara në këtë kanal janë të hartuara dhe të prodhuara nga mësimdhënësit dhe ekspertët e angazhuar nga MASHTI. Këto materiale janë prodhuar në rrethana të emergjencës për shkak të pandemisë COVID-19 brenda një kohe shumë të shkurtër, rrjedhimisht kërkojmë mirëkuptim që materialet nuk janë tërësisht të finalizuara në këtë fazë fillestare, si dhe mund të kenë lëshime e gabime të vogla teknike e përmbajtësore. Në vijim, sipas mundësive, këto materiale (video-ligjëratat) do të plotësohen me më shumë aktivitete, ushtrime, pyetje dhe detyra për secilën njësi mësimore.


Ky kanal do të plotësohet vazhdimisht me materiale mësimore të reja për të gjitha klasat dhe lëndët kryesore, prandaj ju rekomandojmë që ta përcillni vazhdimisht. Në të njëjtën kohë kërkojmë nga prindërit që vazhdimisht të jenë në mbikëqyrje të fëmijëve të tyre gjatë kohës sa janë duke shikuar këtë kanal.


Në vijim e keni linkun që ju dërgon në kanalin e MASHTI-t në Youtube, ku materialet mësimore janë të organizuara nëpër Playlists sipas klasave (ndërsa brenda klasave i keni materialet mësimore të lëndëve të ndryshme për klasën përkatëse). Për ta pasur më të lehtë gjetjen e materialeve mësimore që ju interesojnë, sapo të hyni në kanalin në Youtube, shkoni te “PLAYLISTS”.

Klikoni këtu për të kaluar në kanalin Youtube të MASHTI-t:

EDUKIMI NË DISTANCË – KUJDESI, ZHVILLIMI DHE EDUKIMI NË FËMIJËRINË E HERSHME PËR MOSHËN 0 – 6 VJEÇ


Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) në bashkëpunim me Zyrën e UNICEF-it në Kosovë dhe organizatën Save the Children, si dhe me përkrahje teknike nga organizata Open Data Kosovo, e ka përgatitur Platformën “Edukimi në Distancë – Kujdesi, Zhvillimi dhe Edukimi në fëmijërinë e hershme për moshën 0 – 6 vjeç”.


Kjo platformë i dedikohet fëmijëve të moshës nga 0 deri në 6 vjeç dhe është në përputhje të plotë me Standardet e Zhvillimit dhe të Mësuarit në Fëmijërinë e Hershme 0 – 6 vjeç. Kjo platformë do t’i mbështesë prindërit/kujdestarët ligjorë dhe edukatorët në realizimin e aktiviteteve ditore e javore me fëmijët në kushte shtëpie. Përmbajtja e aktiviteteve të prezantuara në këtë platformë stimulon fëmijët në zhvillimin e tyre në të gjitha fushat zhvillimore, si: fizike, njohëse, emocionale, matematikore dhe kreativitetin, në varësi të moshës së tyre.


Kjo platformë do të plotësohet vazhdimisht në baza ditore dhe javore me materiale e aktivitete të reja, prandaj ju rekomandojmë që ta përcillni vazhdimisht.

Për ta vizituar këtë platformë, klikoni në linkun në vijim:

ARSIMI GJITHËPËRFSHIRËS PËR FËMIJËT/NXËNËSIT ME NEVOJA TË VEÇANTA


Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), si parim themelor ka gjithëpërfshirjen, e cila nënkupton jo vetëm përfshirjen fizike në shkollë, por edhe ofrimin e mundësive që të gjithë fëmijët të zhvillojnë aftësitë dhe potencialet e tyre individuale. Duke pasur parasysh situatën e krijuar nga pandemia COVID-19, me mbështetjen e organizatës Save the Children, MASHTI ofron platformën “Arsimi gjithëpërfshirës” me qëllim të ofrimit të mundësive për zhvillim socio-emocional dhe njohës të fëmijëve/nxënësve me nevoja të veçanta. Platforma ofron aktivitete mësimore për fëmijë/nxënës dhe materiale ndihmëse për prindër/kujdestarë ligjorë, mësimdhënës dhe asistentë të fëmijëve/nxënësve me nevoja të veçanta.


Aktivitetet mësimore janë të ndara sipas fushave të kurrikulës dhe fushave të aktiviteteve. Gjithashtu, platforma ofron tema dhe njësi konkrete, materiale didaktike, këshilla, video, udhëzime audio-vizuale, fleta pune dhe fotografi për të gjithë fëmijët/nxënësit bazuar në nivelet dhe aftësitë individuale. Përveç aktiviteteve mësimore, platforma ofron informata dhe materiale ndihmëse lidhur me qasjen ndaj fëmijëve/nxënësve me nevoja të veçanta, metodat bazike, vlerësimin dhe informata tjera të rëndësishme për zhvillimin social, emocional dhe psikofizik të fëmijës/nxënësit.


Kjo platformë do të plotësohet rregullisht me materiale dhe aktivitete të reja, prandaj ju ftojmë që ta përcillni në vazhdimësi

Për ta vizituar këtë platformë, klikoni në linkun në vijim: